I dërguari i presidentit Trump nesër viziton Moskën

Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit të SHBA-së Donald Trump, do të jetë në Moskë të mërkurën për bisedime me udhëheqjen ruse, tha një burim i cituar nga Reuters.
Detajet e axhendës së vizitës së Witkoff nuk janë publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti ka lënë të kuptohet se i dërguari special Witkoff do të udhëtojë në Rusi këtë javë, kështu që mund ta konfirmoj këtë në këtë fazë”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Tammy Bruce, duke shtuar se nuk kishte detaje të tjera për të publikuar.
Agjencia ruse e lajmeve TASS raporton se i dërguari special i Trump është larguar nga Shtetet e Bashkuara për në Moskë.
Në javët e fundit, presidenti i SHBA-së ka shprehur zhgënjimin e tij me qëndrimin e homologut të tij rus, Vladimir Putin, të cilit i ka dhënë afat deri të premten për të bërë përparim drejt paqes në Ukrainë, duke kërcënuar se do të vendosë sanksione edhe më të ashpra ndaj Moskës.