75 Mall Live Search
13:56 / E Enjte, 07 Gusht 2025 / S Z

Bie zhuga në Pulmologji, drejtori Hoxha: E kemi vetëm një rast

Pacientët të cilët janë shtrirë për trajtim në Klinikën e Pulmologjisë në QKUK, përveç sëmundjes me të cilën përballen, kanë dhe një hall tjetër. Në klinikën në të cilën nuk është investuar dhe ka kushte tejet të rënda, ka rënë dhe zgjeba.

Një paciente i ka thënë Indeksonline, se ka dëgjuar stafin teksa flisnin për pacientet me zgjebe dhe se po frikësohen se zgjebja do të përhapet te pacientët e shtrirë, duke marrë parasysh kushtet  në këtë klinikë.

“Unë dëgjova teksa flisnin për përhapje te zgjebes te pacientët dhe se po ndihemi të rrezikuar kur dihet që i përdorim dhe toaletet e përbashkëta”, tha pacientja.

 E teksa pacientët janë në panikë të përhapjes së zgjebjes në këtë klinikë, drejtori i Klinikës së Pulmologjisë Musa Hoxha  tha për Indeksonlinen, se  vetëm një pacient është i infektuar me zgjebe dhe se nuk ka përhapje të zgjebjes në klinikën që ai drejton.

“Në Klinikën e Pulmologjisë një pacient thanë se është i dyshimtë për zgjebje dhe e kemi lënë në një dhomë vetëm. Pacienti ka dhe në sëmundje kronike,  tuberkukozit e kemi lënë vetëm në një dhomë”, tha Hoxha.

Megjithëse zgjebja është e pranishme në klinikë, aty nuk është bërë as dezinfektim. Drejtori Hoxha thotë se dezinfektimi do të bëhet pasi që pacienti të dalë nga spitali.

“Dezinfektim nuk është bërë. Hapësirat do të dezinfektohet kur të del pacienti. Sa është aty pacienti s’ke qysh e dezinfekton”, tha ai.

Se a ka ardhur me zgjebë pacienti apo është infektuar në klinikë, Hoxha thotë se këtë nuk e dijnë dhe se për këtë duhet diagnostikim.

“Pacienti a ka ardh me zgjebe, duhet të diagnostikohet. Sigurisht është infektu diku dhe ka ardh në klinikë, zgjebja i do inkubacion nja pesë ditë. S’ka pacientë të tjerë të infektuar. Sot kam qenë në vizitë e pashë pacientin është i izoluar në një dhomë”, tha ai./Indeksonline/.