75 Mall Live Search
14:12 / E Premte, 08 Gusht 2025 / Z S

Popoviq shpallet fajtor, burgu i zëvendësohet me gjobë dhe dëbim 2-vjeçar nga Kosova

Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të së ashtuquajturës “Zyrë për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.

Gjyqtari Kujtim Krasniqi ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh, raporton Betimi për Drejtësi.

Në këtë rast, gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe akuzohet se më 18 korrik 2025 në Rahovec kishte mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë./Indeksonline/