75 Mall Live Search
10:57 / E Hënë, 11 Gusht 2025 / L K

Ngrihet aktakuzë ndaj pesë ekzaminerëve të autoshkollave në Pejë, ua treguan kandidatëve pyetjet e sakta

Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave dhe atë A.R., L.G., D.T., A.A. dhe F.T. për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në mënyrë të vazhdueshme kanë kryer vepra “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, i pandehuri A.R. në mënyrë të vazhdueshme nga data 18.07.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 22.09.2022, në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminerit, ka ndihmuar disa kandidat me rastin e testimit teorik për patentë shofer, duke u treguar pyetjet e sakta, ashtu që të njëjtit kanë arritur që ta kalojnë testin teorik dhe të fitojnë kushtin për pjesën praktike.

Me këto veprime i pandehuri A.R. ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së.

I pandehuri L.G. sipas aktakuzë me datën 18.07.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – asistent administrativë në njësinë për patentë shofer në Pejë, pasi një kandidat bie disa herë nga provimi për patentë shofer, i mundëson paraqitjen e provimit pa kryer fletëpagesën, përkatësisht duke shfrytëzuar fletëpagesën e provimit të kaluar për të cilën i ishte nënshtruar njëherë dhe më pas kandidati të njëjtën ditë kur e paraqet provimin, futet në të dhe e kalon testin teorik, duke fituar kushtin për t’iu nënshtruar pjesës praktik. Me këto veprime i pandehuri L.G. ka kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së.

Të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T., nga data 06.01.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 13.09.2022 në Deçan, si zyrtar të një auto shkolle, përkatësisht instruktor profesional të licencuar, i plotësojnë disa kandidatëve librezën e orëve kinse të kryera, ani pse kandidatët nuk kanë qenë fare në Kosovë atë kohë dhe në këtë mënyrë të njëjtit më pas i nënshtrohen provimit për patentë shofer. Me këto veprime të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T. kanë kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së.
Prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.