Nuk është në planet e Gasperinit, Marash Kumbulla e mbyll me Romën dhe mund të transferohet në Spanjë

Marash Kumbulla është kthyer përsëri në epiqendrën e merkatos në Itali, pasi mbrojtësi shihet jashtë planeve të trajnerit Gian Piero Gasperini.
Edhe në miqësoren më të fundit të Romës ndaj Evertonit, trajneri nuk e aktivizoi mbrojtësin, duke dhënë sinjalet e qarta se duhet të kërkojë një sistemim të ri.
Sipas informacioneve të mediave spanjolle, Espanyoli është gati të mirëpresë futbollistin.
“AS” bën të ditur se ka kontakte mes palëve për të realizuar një gjë të tillë, por këtë herë formula duhet të ndryshojë.
Roma kërkon shitjen përfundimtare të lojtarit, jo të huazojë atë për një tjetër edicion siç ndodhi më parë.
Përndryshe, të vendoset një klauzolë për detyrimin e blerjes së tij në fund të edicionit, pasi synon të sigurojë të ardhura nga largimi i mbrojtësit për të rikuperuar diçka nga 26,5 milionë eurot që shpenzoi për të. Por të njëjtat burime theksojnë se këtë herë Espanyoli ka rivalitet për firmën me futbollistin, pasi një tjetër klub i Serisë A po interesohet për Kumbullën.
Cagliari është gati të bëjë lëvizjen e tij për të siguruar mbrojtësin shqiptar, i cili kësisoj do të kishte një vend të garantuar përsëri në elitën e futbollit italian.