Trump kërkon ndërhyrje federale në Uashington: Garda Kombëtare në gatishmëri

Qeveria amerikane po përgatitet të aktivizojë Gardën Kombëtare në Uashington, si pjesë e një fushate të re të Presidentit Donald Trump kundër krimit në kryeqytet.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes konfirmoi se ende nuk është lëshuar një urdhër zyrtar, por pritet që Trump të njoftojë zyrtarisht vendosjen e trupave gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë më vonë gjatë ditës.
Masa e re ndërmerret në një kohë kur, pavarësisht të dhënave për ulje të kriminalitetit në zonë, Trump e ka cilësuar situatën në Uashington si “plotësisht jashtë kontrollit”.
Në një postim të fundit në platformën Truth Social, Trump deklaroi:
“Uashingtoni do të ÇLIROHET sot! Krimi, brutaliteti, papastërtia dhe plehrat do të ZHDUKEN. DO TA BËJ KRYEQYTETIN TONË TË MADH SËRISH! Ditët e vrasjeve të pamëshirshme dhe plagosjeve të njerëzve të pafajshëm kanë MARUAR!”
Ai shtoi se ndërhyrja federale është hapi i radhës pas forcimit të kufirit jugor dhe kërkoi “veprim të menjëhershëm për të shpëtuar qytetin”.
Sipas burimeve, trupat e Gardës Kombëtare nuk do të kenë autorizim për arrestime, por do të ndihmojnë forcat vendore, duke u mundësuar këtyre të fundit më shumë liri për patrullime në terren.
Administrata Trump po planifikon gjithashtu të zhvendosë rreth 120 agjentë të FBI-së në Uashington për patrullime gjatë natës, si pjesë e shtimit të pranisë së forcave të rendit në qytet.
Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Trump përdor Gardën Kombëtare për të përballuar trazira. Në vitin 2020, gjatë mandatit të tij të parë, ai urdhëroi ndërhyrje të ngjashme pas protestave mbarëkombëtare për vrasjen e George Floyd.
Më herët këtë vit, rreth 5,000 trupa të Gardës Kombëtare u vendosën në Los Anxhelos për të kontrolluar protestat kundër operacioneve të emigracionit. Shumica e tyre janë tashmë tërhequr.
Ende nuk dihet si do të pritet ky vendim në Kongres apo në radhët e autoriteteve lokale, por ndërhyrja pritet të ngjallë debat të ashpër në prag të zgjedhjeve presidenciale.