75 Mall Live Search
20:42 / E Hënë, 11 Gusht 2025 / Gj. Sh

​Situatë emergjente në disa zona në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes njoftoi sot lidhur me situatën e zjarrit në Tepelenë.

MM thekson se rreziku nga zjarri ka kaluar në fshatin Lekël të Tepelenës, pa shkaktuar pasoja për banorët apo banesat e tyre.

Zjarri vijon të jetë aktiv në dy drejtime: poshtë fshatit, në drejtim të fshatit Hormovë, si dhe lart, në faqen e malit të Golikut, shton MM.

Gjithashtu, ministria nënvizon se, forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren dhe po punojnë me intensitet për izolimin e vatrës së zjarrit.

Kurse, kryebashkiaku i Gramshit, Besian Ajazi ka reaguar për situatën e zjarreve në pyjet e Gramshit duke e cilësuar atë emergjente.

“Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në Mukaj të Sojnikut, njësia administrative Kukur ndërsa tani në mesdrekë është ndezur një vatër e re zjarri më e madhe dhe më agresive mbi fshatin Sojnik i cili është përhapur deri në fshatin Snosëm, duke rrezikuar edhe banesa”, u shpreh Ajazi.

Ndëkrohë, situata në zonën e Fushë-Arrëzit, në qarkun e Shkodrës, mbetet kritike, pasi flakët po përparojnë të favorizuara nga era.

Drejtori i përgjithshëm i Zjarrfikëseve, Arben Cara, u shpreh në një prononcim për mediet se, aksioni vijon, por është e vështirë ndërhyrja nga toka për shkak të terrenit, prandaj kërkohet ndërhyrje nga ajri.

Delegacioni i Bashkimit Evropian ndau sot pamje nga operacionet për shuarjen e zjarreve në vendin tonë, ku krahas zjarrfikësve shqiptarë po punojnë edhe zjarrfikës nga vende të BE-së.

“Zjarret po përhapen në mbarë Shqipërinë, duke shkatërruar natyrën dhe duke rrezikuar jetë. Por solidariteti i BE-së mbetet e fortë”, thekson zyra e BE në Tiranë.

“Krah zjarrfikësve shqiptarë, po punojmë pa u lodhur për të shpëtuar jetë dhe për të mbrojtur komunitetet”, thekson zyra e BE.

Zyra e BE ndau foto nga zjarrfikësit sllovakë dhe ata çekë që janë në veprim në një zjarr në afërsi të Tepelenës.

Hadja Lahbib, Komisionere për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave u shpreh më herët se, BE ka aktivizuar Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së.

“Zjarret po shpërthejnë përsëri në të gjithë Shqipërinë. Kemi mobilizuar aeroplanë nga flota jonë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së për të ndihmuar ekipet e para lokale të ndërhyrjes për të vënë nën kontroll zjarret. Një aeroplan nga Kroacia dhe dy aeroplanë nga Suedia po i bashkohen tani reagimit emergjent”, tha Hadja Lahbib, Komisionere për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave.