75 Mall Live Search
09:57 / E Martë, 12 Gusht 2025 / SH

Vrasjet e fundit në Kosovë, Përparim Rama ka një thirrje për policinë

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama e ka komentuar situatën e fundit në Kosovë ku janë regjistruar disa vrasje në nivel vendi.

Rama ka thënë se populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë.

“Të nderuar qytetarë të Prishtinës dhe të gjithë Republikës së Kosovës!
Ditët e fundit, vendi ynë është tronditur nga një varg incidentesh të dhunshme me humbje tragjike jetësh. Këto nuk janë thjesht numra. Janë fqinjët tanë, miqtë tanë, anëtarët e familjeve tona. Dhimbja e tyre është dhimbja jonë si shoqëri, si institucione si shtet!
Ajo që e bën gjendjen edhe më shqetësuese është fakti se qytetarët e Kosovës nuk kanë sot një qeveri funksionale pas vetes, që merret seriozisht me nevojat dhe sigurinë e tyre. Kjo është për keqardhje. Populli i këtij shteti ka mbetur me institucione “në detyrë”, ndërsa rreziku çdo ditë po merr jetë.
Si Kryetar i Kryeqytetit, brenda kompetencave të mia ligjore dhe morale, i bëj thirrje Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjyqësorit dhe udhëheqësve të çdo komune që të nisim menjëherë një fushatë të koordinuar për konfiskimin e të gjitha armëve të paligjshme. Veprimi duhet të jetë i shpejtë, i ligjshëm dhe transparent.
Kjo nuk është thjesht një thirrje për veprim. Është një detyrë morale. Viktimat i nderojmë jo vetëm me fjalë, por me ndryshim real”, shkruan Rama në reagim./Indeksonline/