75 Mall Live Search
15:33 / E Martë, 12 Gusht 2025 / S Z

OEK pas vendimit të Shkallës së dytë nga Gjykata Komerciale: Do ta vazhdojmë betejën ligjore

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar se do të vazhdojë betejën ligjore pas vendimit të Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, e cila ka ndryshuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24 të datës 5 prill 2024 dhe njoftimit të datës 12 mars 2025 të nxjerrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në komunikatën për media, OEK thekson se, pavarësisht se nuk e komenton vendimin, do të shfrytëzojë mjetet e tjera ligjore brenda afateve të përcaktuara dhe do të informojë anëtarët e saj për çdo zhvillim, transmeton Klankosova.

Oda ka kërkuar tutje nga ZRrE që të mos ndërmarrë veprime që, sipas saj, do të dëmtonin më tej bizneset dhe ekonominë e vendit, duke ndikuar edhe në rritjen e kostos së jetesës për qytetarët.

“Në ditët në vijim, ne do të konsultohemi me bizneset dhe do të shqyrtojmë hapat e tjerë që do të ndërmerren. Për këtë, do të njoftoheni me kohë”, shkruhet në komunikatë.