Nisin hetimet ndaj të dyshuarit që merrej me shitblerje narkotikësh në Gjakovë

Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton se ndaj të pandehurit me inicialet E.M., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet E.M., më datë 11.08.2025 rreth orës 21:25 në Gjakovë rr.”Gasper Karaqi”, pa autorizim posedon, transporton substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, substanca psikotrope ose analoge, me qëllim të shitjes ose shpërndarjes.
Derisa i pandehuri ka qenë duke lëvizur përgjatë rrugës me automjetin e tij “Audi A6”, në një pikë kontrolli është ndalur nga zyrtarët policorë të NJRSH-së, ku gjatë kontrollit nga një çantë e të pandehurit gjenden dhe sekuestrohen 6 qese të mbushura me substancë narkotike të dyshuar për llojin kokainë në peshë prej 2.71 gramë.
Nga ana e hetuesve, në mënyrë urgjente, është kryer kontrolli dhe bastisja në banesën e të pandehurit me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar një paketim me substancë narkotike në peshë prej 280 gr, një paketim me substancë narkotike në peshë prej 90 gr, një paketim me substancë narkotike në peshë prej 13 gr, të dyshuar për substancë narkotike të llojit kokainë, një peshore digjitale, dy palë gërshërë, një lugë metalike, shirit ngjitës, shkrepës dhe qese të vogla të zbrazëta, të cilat kanë shërbyer për përgatitjen dhe më pas shitjen apo shpërndarjen e substancës narkotike.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Gjithashtu, i pandehuri nga data e pavërtetuar deri me datë 11.08.2025 rreth orës 21:25 në Gjakovë, ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të revoles me gaz e modelit Zoraki dhe një karikartor, e sekuestruar nga ana e policisë.
I pandehuri që nga data 11 gusht, me vendim të prokurorit të Shtetit, gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartëcekur.