75 Mall Live Search
07:37 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / MSH

Zgjedhjet lokale/ Sot afati i fundit që partitë t’i dorëzojnë listat me kandidatë

Sot, në orën 23:59 do të përfundojë afati për aplikimin e subjekteve politike për certifikim dhe dorëzimin e listave me emrat e kandidatëve në garën zgjedhore për kryetarë të komunave dhe për kuvende komunale.

Vetëm dy muaj më pas, më 12 tetor 2025, qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur të parin e komunës së tyre dhe anëtarët e kuvendeve komunale.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se “periudha e aplikimit, e cila ka filluar më 26 qershor, do të përfundojë më 13 gusht, në orën 23:59”.

Sipas Elezit, është në vullnetin e subjekteve politike të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve dhe për komunat në të cilat duan të garojnë.

“Subjektet politike kanë të drejtën e plotë të vendosin në cilat komuna do të marrin pjesë në zgjedhje. Po ashtu, ato përcaktojnë vetë nëse do të garojnë vetëm në zgjedhje për kryetar komune ose për kuvend komunal apo për të dyja njëkohësisht në një komunë të caktuar”, tha Elezi.

Deri tani, KQZ-ja ka arritur të certifikojë grupin e parë me 10 subjekte politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kanidatë të pavarur.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandiatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të kuvendeve komunale.