75 Mall Live Search
07:52 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / MSH

Garda Kombëtare merr përsipër punën e policisë në Uashington

Garda Kombëtare ka filluar të dalë në rrugët e kryeqytetit amerikan Uashington, pasi Donald Trump urdhëroi që forcat federale të merrnin përsipër Departamentin e Policisë Metropolitane për të menaxhuar krimin dhe të pastrehët.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, thotë se afërsisht 850 oficerë federalë të zbatimit të ligjit u vendosën në Uashington dhe arrestuan 23 persona gjatë natës, duke e quajtur këtë vetëm fillimin.

Arrestimet përfshijnë akuza për vrasje, krime me armë dhe drogë, drejtim mjeti të pakujdesshëm dhe drejtim mjeti në gjendje të dehur. Ajo tha se u sekuestruan gjashtë pistoleta të paligjshme.

Leavitt tha gjithashtu se kontrolli federal i departamentit të policisë mund të zgjasë më shumë se 30 ditë.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë do të ketë nevojë për miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit për të zgjatur marrjen e kontrollit të departamentit.

Në lidhje me të pastrehët Leavitt tha se atyre do u ofrohet një strehë ose trajtim për varësinë nga droga. Ata që refuzojnë të largohen nga kampet e të pastrehëve, do të përballen me gjoba ose me burgim.

Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser tha se plani i saposhpallur i Trumpit për të marrë përsipër Departamentin e Policisë Metropolitane dhe për të nxjerrë në rrugë Gardën Kombëtare nuk ishte një hap produktiv. Ajo tha se krimi në qytet ka qenë në rënie të vazhdueshme dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme e perceptuar nga Trumpi nuk përputhet me shifrat.