“The Mirror” thur lavde për rivierën shqiptare

Shqipëria është transformuar në një destinacion për turistët evropianë e sidomos ata britanikë gjatë këtij viti.
Të dhënat tregojnë se vetëm në tre muajt e parë vendin e kanë vizituar mbi 45 mijë udhëtarë.
Ndërkohë që jemi në pikun e sezonit turistik media e njohur britanike “The Mirror” i ka bërë jehonë bukurive natyrore të vendit tonë. Ajo i rekomandon turistëve që të eksplorojnë Shqipërinë e sidomos rivierën fantastike në jug.
Sipas të përditshmes britanike vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.
Veçohet Dhërmiu si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest” vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon. Dhe mbi të gjitha këto mund të shijohen me kosto mjaft të ulëta.
Në baret buzë detit mund të gjesh birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.
Plazhi Pema e Thatë është bërë gjithashtu i njohur për turistët për shkak të kasolleve në plazh të cilat janë të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, duke u transformuar ato në një sensacion viral në TikTok.
The Mirror shkruan se tashmë turizmi në Shqipëri ka lulëzuar pas izolimit të saj nën gjysmë shekulli të sundimit komunist deri në vitin 1992. Por pavarësiht kësaj gjithçka konsiderohet ende “autentikisht shqiptaree”.
Ndërsa riviera shqiptare ka përjetuar një rritje të vizitorëve gjatë viteve të fundit, ajo ende nuk është bërë një vend i preferuar për udhëtarët e zakonshëm. Rëra e saj e bardhë e pastër dhe ujërat kristalore të bruzta kanë fituar krahasime me Maldivet.