Bajrami merr shembull Hotin që s’i la pa paga punëtorët e RTK-së kur s’kishte kuvend

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka publikuar një vendim të Avdullah Hotit, i cili derisa ishte kryeministër kishte ndarë mjete për RTK-në në kohën kur s’kishte kuvend të konstituuar.
Ajo tha se punëtorët e RTK-së aktualisht nuk po marrin paga për shkak se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po i mban peng në mungesë të një nënshkrimi që refuzon ta japë.
“Sot është data 14 gusht, por 700 punëtorë të Radiotelevizionit të Kosovës ende s’kanë marrë pagën e muajit korrik. 700 familje po presin një nënshkrim nga Albin Kurti, i cili refuzon ta japë, pavarësisht se buxheti i RTK-së është miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.
“Miliona euro ka ndarë qeveria jolegjitime e Albin Kurtit (janë jolegjitim nga data 15 prill kur janë betuar si deputetë), për projekte të dyshimta që askund nuk janë të specifikuara në Ligjin e buxhetit, por ai ka vendosur t’i luftojë punëtorët e RTK-së, sepse pavarësisht se e kanë kapur bordin dhe menaxhmentin e RTK-së, po vuajnë që s’po mund t’i kontrollojnë të gjithë gazetarët aty. Shihni një situatë të ngjashme në vitin 2021 se si është bërë zgjidhja, shihni vendimin e kryeministrit Hoti, as atëherë s’ka pasur kuvend të konstituuar, por askush nuk ka mbetur pa pagë, askush asnjëherë nuk ka evidentuar asnjë shkelje në vendimin e asaj kohe”, ka shkruar Bajrami.
“Pra, siç po e shihni, nuk është Ligji, nuk është mungesa e kuvendit, është Albin Kurti i cili po i mban peng 700 punëtorë të RTK-së, 700 familje. Kjo nuk është vetëm padrejtësi – është abuzim me pushtetin”.
Bajrami i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale “të veprojë menjëherë dhe të lirojë institucionet nga uzurpatorët”.