Princi William dhe Princesha Kate do të hyjnë në shtëpi të re, pamjet nga rezidenca në lagjen mbretërore

Princi William dhe Princesha Kate do të zhvendosen në një shtëpi të re në fund të këtij viti!
Çifti mbretëror do të largohet nga shtëpia e tyre aktuale në Windsor, Adelaide Cottage, për të jetuar në Forest Lodge, një vilë me tetë dhoma gjumi që ndodhet në Great Park të zonës mbretërore, sikurse konfirmon një zëdhënës i Pallatit Kensington.
“Shtëpia e re e familjes së Uellsit do të jetë gati për zhvendosje më vonë gjatë vitit”, thuhet në deklaratën zyrtare të pallatit.
Sipas The Sun, çifti do ta blejë pronën me shpenzimet e veta, e cila vlerësohet rreth 16 milionë paund. Ata po ashtu do të financojnë disa punime të vogla restaurimi në ndërtesën e klasifikuar si me rëndësi historike, përfshirë heqjen e një dritareje dhe përmirësimin e një oxhaku, siç zbulojnë disa dokumente të redaktuara të planifikimit urbanistik.
Ky zhvillim vjen pas një investigimi të Channel 4 Dispatches dhe The Sunday Times, që tregoi se Dukati i Cornwall-it, i trashëguar nga William pas emërimit si Princ i Uellsit, kishte dhënë me qira prona publike për miliona paund. Pas kritikave, Princi William deklaroi se disa nga këto prona do të jepen falas për organizata bamirëse.
Renovimi i fundit i madh i Forest Lodge ndodhi në vitin 2001, me një kosto prej 1.5 milionë paund, dhe që prej atëherë ka pasur një qira mujore të vlerësuar në 15.000 paund.
Shtëpia e re ndodhet shumë afër rezidencës aktuale të familjes, duke bërë të mundur që fëmijët e çiftit, Princi George, Princesha Charlotte dhe Princi Louis, të vazhdojnë të ndjekin të njëjtën shkollë.
