Evropa digjet nga zjarret, numri i të vdekurve në rritje

Evropa Jugore është përfshirë nga zjarre të fuqishme, teksa vala e të nxehtit ekstrem po e bën thuajse të pamundur kontrollimin e flakëve.
Vetëm në Spanjë janë duke u luftuar 14 vatra të mëdha, ndërsa tre persona kanë humbur jetën, përfshirë dy zjarrfikës vullnetarë. Temperaturat shkojnë mbi 40°C dhe rreziku i zjarreve është shpallur ekstrem.
Në Portugali, një ish-kryetar komune u gjet i pajetë, viktima e parë nga flakët këtë verë. Ndërkohë, më shumë se 4,000 zjarrfikës po përballen me shtatë zjarre të mëdha.
Greqia po përballet me ditën e katërt të flakëve në ishullin Kios, ku janë dhënë urdhra të rinj evakuimi. Edhe Turqia po përballet me zjarre në disa provinca.
Qeveritë kanë aktivizuar mekanizmin e mbrojtjes civile të BE-së, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare me mjete ajrore dhe ekipe shtesë.
Ndryshimet klimatike po cilësohen si shkaktari kryesor, pasi Evropa po ngrohet dy herë më shpejt se mesatarja globale. Sipas BE-së, 2024 është viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.