“Hidrodrini”: Uji i pijshëm në Istog është testuar në dy lokacione, është në vlera normale

Kompania rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” SH.A ka njoftuar për një problem teknik të paraqitur në pajisjet për klorimin me gaz në burimin e Istogut.
Sipas komunikatës zyrtare, është evidentuar një defekt në sistemin e klorit të gaztë, i cili ka rezultuar me emetim të klorit në ajër. Megjithatë, kompania siguron se nuk ka asnjë rrezik për qytetarët apo për cilësinë e ujit të pijshëm në këtë komunë.
Flamur Arifaj, menaxher i njësisë operative në Istog, ka deklaruar se situata është nën kontroll dhe po punohet për riparimin e pajisjeve
“Uji i pijshëm është testuar në dy lokacione të ndryshme dhe rezultatet kanë dalë brenda vlerave të lejuara. Nuk ka vend për panik. Situata është nën kontroll dhe po punohet për riparimin e pajisjeve”, ka thënë Arifaj.
Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Komuna e Istogut, ku bëri të ditur se defekti është identifikuar dhe riparuar menjëherë nga ekipet kompetente. Uji i pijshëm nga burimi i Istogut është i pastër dhe i sigurt për konsum, ndërsa furnizimi me ujë po vazhdon normalisht./IndeksOnline/