75 Mall Live Search
10:41 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Fluturimi nga Greqia drejt Gjermanisë përfshihet nga flakët, aeroplani bën ulje emergjente në Itali

Një incident serioz ka ndodhur gjatë fluturimit të një aeroplani të Condor Airlines, model Boeing 757-300, i cili po udhëtonte nga ishulli grek i Korfuzit drejt Dyseldorfit.

Menjëherë pas ngritjes, aeroplani me 263 pasagjerë dhe tetë anëtarë ekuipazhi u përfshi nga flakët në motor, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare.

Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të pilotëve, u vendos kryerja e një uljeje emergjente në aeroportin e Brindisit në Itali, ku aeroplani u ul në mënyrë të sigurt pa pasoja për udhëtarët dhe ekuipazhin.

Linia ajrore njoftoi se zjarri u shkaktua nga një ndërprerje në rrjedhën e ajrit të motorit gjatë fluturimit.

Për shkak të këtij incidenti, shumë pasagjerë u detyruan të kalonin natën në aeroportin e Brindisit, pasi mungonte akomodimi i menjëhershëm në hotele.