75 Mall Live Search
10:49 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / LB

Milanoviq: Ushtarët kroatë s’do të marrin pjesë në luftërat e të tjerëve

Kroacia po përjeton një debat të brendshëm politik lidhur me qëndrimin e saj ndaj luftës në Ukrainë dhe pjesëmarrjes në të ashtuquajturën “Koalicioni i të gatshmëve”, që përfshin shumicën e vendeve të mëdha evropiane, Bashkimin Evropian, NATO-n dhe shtete jashtë Evropës, si Kanadaja.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, ka marrë pjesë në një videokonferencë të liderëve të kësaj koalicioni ditën e diel dhe më pas është shprehur në rrjetin social X se Kroacia vazhdon të mbështesë përpjekjet për paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë.

“Theksova se vazhdojmë të ofrojmë mbështetje për arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe integritetin territorial të Ukrainës, si dhe garanci afatgjata për sigurinë”, shkroi Plenkoviq. Ai shtoi se kjo është e rëndësishme për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta dhe sigurinë evropiane e globale.

Megjithatë, përfshirja e Kroacisë në këtë koalicion është kundërshtuar nga Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, i cili reagoi përmes një postimi në Facebook.

“Duke qenë se kryeministri i Kroacisë është përfshirë këto ditë në bisedimet e ashtuquajturës ‘Koalicioni i të gatshmëve’, e cila përfshin edhe vende që kanë paralajmëruar dërgimin e ushtarëve të tyre në Ukrainë, kujtoj se Kroacia është anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe ka vetëm ato detyrime që burojnë nga anëtarësimi në këto aleanca,” shkruan Milanoviq.

Ai theksoi se Kroacia nuk ka detyrime që vijnë nga marrëveshje politike apo ushtarake të vendeve të tjera të koalicionit, dhe se qeveria nuk ka autorizim për ta futur vendin në iniciativa të reja që mund të nënkuptojnë pjesëmarrjen e ushtarëve kroatë në luftën në Ukrainë.

“Kam marrë mandat nga populli kroat për të përfaqësuar një qëndrim të tillë dhe ndaj përsëris se ushtarët kroatë nuk do të marrin pjesë në luftërat e të tjerëve,” përfundoi Presidenti Milanoviq.