75 Mall Live Search
13:22 / E Hënë, 18 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Zhvillime në BeH, jep dorëheqjen kryeministri i Republikës Serbe

Radovan Vishkoviq, kryeministër i entitetit të Bosnjë e Hercegovinës, Republika Serbe dha dorëheqjen nga posti i tij sot.

Ai është anëtar i Aleancës së Socialdemokratëve të Pavarur, të udhëhequr nga Millorad Dodik.

Vishkoviq ishte në krye të Qeverisë së Republikës Srbe që nga viti 2018, ndërsa mandatin e tij opozita shpesh e ka kritikuar për mënyrën e menaxhimit të resurseve të entitetit, për dhe qasjen ndaj institucioneve të Bosnje e Hercegovinës.

Që nga korriku i vitit 2023, Vishkoviq gjendet në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe cenimit të sovranitetit të Bosnjë e Hercegovinës.

Siç pati bërë të ditur atëherë Departamenti amerikan i Thesarit, Vishkoviq është një nga udhëheqësit në RS, i cili mban përgjegjësi “për nxitjen e miratimit të ligjeve në Kuvendin Popullor të Republikës Serbe, me të cilat vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në SHBA dhe ngrirjen e pasurisë që gjendet nën juridiksionin e tyre.

Vishkoviq është gjithashtu një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnjë e Hercegovinës për veprën penale të sulmit ndaj rendit kushtetues.

Për të njëjtën vepër akuzohen edhe Dodik, president i Republikës Serbe, si edhe Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të entitetit./ REL/