Gjyqtari Laban kishte kërkuar përjashtimin nga vendimmarrja, kërkesa iu refuzua

Në aktgjykimin e publikuar sot, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur se më 7 gusht 2025, gjyqtari Radomir Llaban kishte kërkuar përjashtimin e tij nga vendimmarrja në rastet KO193/25, KO196/25 dhe KO215/25, që lidhen me kërkesat e PDK-së, LDK-së dhe presidentes Vjosa Osmani për seancën konstituive të Kuvendit.
Sipas aktgjykimit, të njëjtën ditë, Gjykata njëzëri refuzoi kërkesën për përjashtimin e tij.
Llaban kishte kërkuar vetëpërjashtim nga ky rast dy ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte tërhequr kërkesën që ia kishte parashtruar Gjykatës Kushtetuese më 22.07.2025, në lidhje me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi sipas saj, gjyqtar raportues i lëndës është caktuar Radomir Llaban, i cili sipas saj, ka veprimtari që paraqet rrezik për rendin kushtetues në Kosovë.
“Ju njoftoj se sot në përputhje me Ligjin per Gjykatën Kushtetuese, kam tërhequr kërkesën të paraqitur më 22 korrik 2025. Këtë e kam bërë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se si gjyqtar raportues në këtë kërkesë është caktuar gjyqtari Radomir Llaban, për vepritmarinë e rrezikshme të të cilit në vitet 2018, 2021, 2024 institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione të qarta dhe zyrtare” – ka thënë Osmani më 05.08.2025