Dosja e Prokurorisë ndaj 21 të akuzuarve për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë vitit 1999

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.
“Betimi për Drejtësi” ka publikuar aktakuzën në të cilën të akuzuar janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq.
Cilat ishin pozitat e të akuzuarve?
Zlatomir Peshiq, akuzohet në cilësi të Komandantit të Rrethit Ushtarak në Prishtinë, Mladen Cirkoviq- në cilësi të Komandantit të Brigadës 15 të Blinduar të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë në regjonin e Prishtinës, Radomir Markoviq- në cilësi të shefit të Divizionit të Sigurimit Shtetëror RDB (pjesë e MUP-it), Dushko Adamoviq-në cilësinë të ndihmësit të kryeshefit në administratën policore në MUP, Obrad Stevanoviq- në cilësi të Shefit të Administratës të Njësive të Veçanta të Policisë, MUP-it për Kosovë, Zhivko Trajkoviq- në cilësi të Komandantit të Njësive Speciale Antiterroriste, Goran Radosavljeviq- në cilësinë e Komandantit Kundër -Terrorizmit i Njësive të Veçanta të Policisë dhe për nën-njësitë që njiheshin si Grupe Operative Ndjekës në kuadër të MUP-it serb.
Sipas aktakuzës së PSRK-së, i akuzuari Bogoljub Janiçeviq akuzohet në cilësinë e Kryeshefit të SUP-it Ferizaj, në vitet 1998-prill 1999 dhe nga viti 1999 në pozitën e Kryeshef i SUP-it Prishtinë, Sllavisha Ivanoviq- në cilësinë e shefit të sektorit në SUP Prishtinë, Boshko Vukiqeviq- në cilësinë e Shefit të sektorit për delikte gjaku në SUP Prishtinë, Sreten Popoviq- në cilësinë e Komandantit të togut të grupit operacional OPG, i cili i përkiste njësisë 124 të ndërhyrjes policore të njësive speciale të policisë (PJP), Nikolla Petroviq- në cilësinë e Komandantit të Brigadës 175 të këmbësorisë, Krsman Jeliq- në cilësinë e Komandantit të Brigadës 243 të mekanizuar të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Ljubisha Stojimiroviq- në cilësinë e Komandantit të Brigadës 72 të forcave speciale të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, Bozhidar Deliq ngarkohet në cilësinë e komandantit të Brigadës 549 të mekanizuar të këmbësorisë të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, në regjionin e Prizrenit dhe regjionin e Gjakovës. Radojko Stefanoviq- në cilësinë e komandantit të Brigadës 52 të artilerisë së përzier të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë në regjionin e Gjilanit, Dragan Zivanoviq- në cilësinë e komandantit të Brigadës 125 të motorizuar të korpusit të Prishtinës të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, Millosh Doshan- në cilësinë e Komandantit të Brigadës 52 të mbrojtjes kundërajrore të Ushtrisë së Republikës Federale të Jugosllavisë, në regjionin e Gjakovës, Ljubinko Cvetiq- në cilësinë e kryeshefit të SUP-it në Mitrovicë, Bozhidar Filiq- në cilësinë e kryeshefit të SUP-it në Ferizaj dhe Milovan Kovaçeviq- në cilësinë e Shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Gjakovë (SUP).
Veprimet që ngarkohen se kanë ndërmarrë secili i akuzuar veç e veç:
Prokuroria Speciale ngarkon 21 të akuzuarit se gjatë muajit janar dhe qershor të vitit 1999, përgjatë konfliktit të armatosur dhe luftës në Kosovë, kishin ushtruar autoritet dhe kontroll efektiv mbi forcat që vepronin nën përgjegjësinë e tyre në regjionet në të cilat kishin zonat e përgjegjësisë sipas pozitave të lartpërmendura.
Aty thuhet se të akuzuarit kanë qenë në dijeni dhe kanë pasur informacione, si dhe bazuar në raportet operative, komunikimeve të brendshme dhe vetë prezencës nëpër zona, kanë qenë në njohuri të mjaftueshme që nën kontroll të tyre po kryheshin veprime që përfshinë shkatërrimin e pronës, përfshirë djegien e shtëpive dhe objekteve të infrastrukturës civile, përndjekjen dhe ndalimin arbitrar të personave në baza etnike, përfshirë sulme të armatosura ndaj fshatrave dhe qyteteve të banuara me popullsi civile shqiptare, me qëllim të zhvendosjes me dhunë.
Këto veprime, sipas aktakuzës, rezultuan me organizimin e kolonave të detyruara të civilëve shqiptarë me qëllim të dëbimit nga Kosova në drejtim të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë, që gjithsej ishin 862 mijë e 979 civilë të dëbuar.
Aktakuza thotë se të akuzuarit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme dhe të arsyeshme që ishin në kompetencë dhe përgjegjësi të tyre, për të parandaluar kryerjen e këtyre veprimeve, për t’i penguar autorët apo për t’i ndëshkuar ose për t’i raportuar si akte të kundërligjshme. Sipas PSRK-së, këto veprime janë të sanksionuara sipas zakoneve të luftës dhe se të akuzuarit kanë shkelur nenin 3 të përbashkët të katër Konventave të Gjenevës, nenin 50, 51, 86, 87 të Protokollit I dhe nenit 13, 14, 17 të Protokollit II.
Andaj, për këto veprime 21 të lartpërmendurit ngarkohen me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Numri i të dëmtuarve sipas regjioneve:
Në aktakuzë është listuar edhe numri i të dëmtuarve sipas regjioneve, ku fillohet me atë të Prishtinës në të cilin figurojnë 46 të dëmtuar, Mitrovicës me 10, Pejës me 12, Prizrenit me, 10, Ferizajt me 9, Gjilant 10, si dhe Gjakovës 10.
Kujtojmë se kjo aktakuzës është dorëzuar me propozim për gjykim në mungesë, pasi që prezenca e të akuzuarve nuk është arritur të sigurohet gjatë fazës së hetimeve.
PSRK më 15 gusht 2025 përmes një konference për medie të mbajtur nga Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Blerim Isufaj dhe prokurori special Atdhe Dema, kishte njoftuar për ngritjen e kësaj aktakuze.