75 Mall Live Search
10:42 / E Martë, 19 Gusht 2025 / S Z

Komuna e Prishtinës refuzon kërkesën për rikthimin e ndalesës së autobusëve te Xhamia e Llapit

Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Donat Lushaku, tha se nuk do të lejohet kthimi i autobusëve të Podujevës në ndalesën te Xhamia e Llapit dhe se çdo tentim për bllokim të trafikut do të pengohet nga inspektorët dhe policia.

Ky qëndrim vjen pas protestës së transportuesve të autobusëve të linjës Podujevë – Prishtinë, që u mbajt paraditen e sotme para Komunës së Prishtinës, duke kundërshtuar vendimin për ndalesën te Xhamia e Llapit.

Lushaku në një prononcim për media tha se do të merren masa ligjore.

“Siç e keni parë, Shoqata e Autobusëve të Podujevës ka vijuar me grevë, por tashmë pas njoftimit të policisë dhe vendimit me shkrim, greva e formës së kaluar nuk do të bëhet në kuptim të bllokimit të trafikut apo shiritit të caktuara në zona të caktuara të qytetit. Komuna do të vazhdojë bashkë me inspektorët e saj dhe policinë të marrë masa ligjore ndaj të njëjtëve dhe kësisoj qarkullimi brenda qytetit nuk do të lejohet assesi. Kthimi nga stacioni i ashtuquajtur Xhamia e Llapit jo se jo”, tha Lushaku.

Ai bëri të ditur se komuna është e hapur për dialog vetëm për dy çështje të ngritura nga shoqata.

“Jemi pra duke tentuar që kërkesat e tjera t’i plotësojmë. Këtë e them në kuptimin se do të ketë mundësi dialogu për dy pika, që është pjesa e taksive ilegale, që është edhe preokupim i yni dhe kërkesë e Shoqatës së Autobusëve të Podujevës dhe pika tjetër që disa linja që i ka të kontraktuara Komuna të mos kalojnë në territorin e Podujevës”, tha ai.

Lushaku theksoi se shoqata duhet të respektojë obligimet e saj deri në fund.

“Shoqata duhet të respektojë interesat deri në fund, pra të vazhdojë deri në stacion të autobusëve, gjë që nuk po e bën, çka po pamundëson qytetarët e Podujevës që të marrin biletat e integruara për ta shfrytëzuar falas në krejt qytetin”, tha ai.