30 ditë paraburgim ndaj Sinisha Spasiqit, avokati: S’u dëshmua se ai mori pjesë në krim lufte

Avokati Ljubomir Pantoviq, mbrojtës i Sinisha Spasiqit, tha se kërkesë që Prokuroria Speciale e ka dorëzuar sot nuk i plotëson kushtet themelore që të pranohet dhe që mbi bazën e saj të caktohet paraburgimi.
“Absolutisht nuk është paraqitur, nuk është dëshmuar dyshimi i bazuar se Spasiq ka marrë pjesë në atë ngjarje. E, ky është kushti themelor që ndaj një personi të caktohet masa e paraburgimit. Do të paraqes ankesë. Kjo është gjithçka që momentalisht mbrojtja ka në dispozicion.”
Hetimi për atë krim që i vihet në barrë Spasiqit ka filluar që në verën e vitit 1999.
Dhe atë hetim e kanë zhvilluar hetuesit e Tribunalit të Hagës, pastaj hetuesit e Prokurorisë së UNMIK-ut, të EULEX-it dhe hetuesit kosovarë. Dhe në kuadër të atij hetimi janë marrë në pyetje me siguri dhjetëra dëshmitarë. Gjatë atyre 26 vjetëve askush, asnjëherë, në asnjë kontekst që ka të bëjë me atë krim, nuk e ka përmendur Sinisa Spasiqin. Deri para një muaji e gjysmë, kur një dëshmitar u kujtua se Siniša kishte marrë pjesë në atë krim, por e kishte harruar ta thoshte për plot 26 vite. Pas kësaj iu “rifreskua”, që të them kështu, kujtesa edhe disa dëshmitarëve të tjerë dhe edhe ata deklaruan se Sinisha kishte qenë pjesëmarrës në atë, siç e quajnë tani, krim lufte”, tha Pantoviq.