Prizren: Zbulohet një skemë piramidale dhe aktivitet i paligjshëm i bixhozit, dy persona ndalohen nga policia

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të suksesshëm në rrugën “Haxhi Zeka” në Prizren, pas dyshimeve të arsyeshme për organizim të skemave piramidale dhe zhvillim të bixhozit të paligjshëm, transmeton IndeksOnline.
Si rezultat i një pune intensive hetimore, njësitë policore kanë kryer kontrolle në disa lokacione ku dyshohej se pronarët dhe punëtorët e lokaleve përkatëse mundësonin zhvillimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Gjatë aksionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar dëshmi të ndryshme që konfirmojnë dyshimet mbi kryerjen e këtyre veprave penale.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj dy të dyshuarve meshkuj kosovarë është lëshuar aktvendim për ndalim, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë, ndërkohë policia ka bërë të ditur se do të marrë masa të mëtejshme ndaj çdo subjekti që përfshihet në aktivitete të tilla të paligjshme./IndeksOnline/