75 Mall Live Search
15:32 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / KV

Policia e Kosovës pajiset me radar mobil, vetëm në një pikë kontrolli në Prizren shqiptohen 13 gjoba

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor (NJRTRR) në Prizren, ka nisur përdorimin e një automjeti të ri të pajisur me radar mobil, në kuadër të përpjekjeve për të rritur sigurinë në komunikacion dhe për të parandaluar kundërvajtjet rrugore.

Më 20 gusht 2025, nga ora 09:00 deri në 10:15, kjo njësi ka organizuar një pikë kontrolli në rrugën Prizren–Prevallë, ku përmes radarit mobil janë evidentuar një numër shkeljesh të rregullave të trafikut.

Gjatë këtij operacioni janë shqiptuar gjithsej 13 fletëparaqitje, prej tyre:

8 për tejkalim në vijë të plotë, ndër to 5 automjete me targa të huaja,
5 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar në zonën e kufizuar prej 30 km/h.

Të gjitha shkeljet janë incizuar me video nga radari mobil dhe do të shërbejnë si dëshmi të pakontestueshme në procedurat ligjore.

Policia e Kosovës u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, duke paralajmëruar se kontrollet me radar mobil do të vazhdojnë rregullisht, sidomos në zonat me rrezikshmëri të lartë.