75 Mall Live Search
21:30 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / AR

Këngëtarja në gjendje të rëndë: Gati sa nuk vdiqa

Këngëtarja Tamar Braxton ka ndarë me ndjekësit e saj një rrëfim tronditës përmes Instagram Story, duke treguar se ka përjetuar një ngjarje thuajse fatale gjatë fundjavës.

“E kam pasur shumë të vështirë ta shkruaj këtë, por të gjithë më telefonojnë dhe sinqerisht nuk kam më forcë të flas,” shkroi Braxton. “Gati sa nuk vdiqa të dielën.”

Ajo tregoi se është gjetur nga një mikeshë në një pellg gjaku, me lëndime serioze në fytyrë, teksa në sfond dëgjohej kënga “Spirit Lead Me” nga Clavier. “Sa më shumë kalojnë ditët, aq më keq bëhet,” tha ajo.

Këngëtarja e hitit “All the Way Home” falënderoi Zotin që e zgjoi të gjallë atë mëngjes, por tregoi se pasojat fizike dhe emocionale janë të rënda. Ajo zbuloi se ka thyer hundën, ka humbur disa dhëmbë dhe ka humbje të lëvizshmërisë.

“Mënyra se si e shoh jetën tani është krejt ndryshe. Ndërsa shëndeti im fizik është në përmirësim, tani fillon rrugëtimi im me shëndetin mendor… lutuni për mua, për së vërteti,” shtoi ajo.

Në një tjetër Story pak para rrëfimit, Tamar kishte postuar: “Faleminderit Zot që më zgjove sot.”

Ky nuk është rasti i parë që artistja përballet me një krizë shëndetësore. Në vitin 2020, ajo u dërgua me urgjencë në spital pas një përpjekjeje për vetëvrasje, pasi partneri i saj i atëhershëm, David Adefeso, e gjeti pa ndjenja në një dhomë hoteli në Los Angeles.

Braxton më vonë tregoi se ishte në një gjendje të rëndë emocionale dhe se kishte humbur shpresën. “Nuk e shihja dot një rrugëdalje. Nuk e dija që ekzistonte një anë tjetër,” tha ajo për revistën People në vitin 2021.