Arrestimi i zyrtarit të Komunës së Pejës, flet avokati i tij: Rasti nisi për armëmbajtje pa leje, pritet të lirohet

Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Pejës, pasi i njëjti u filmua duke konsumuar lëndë që dyshohet të jenë narkotike dhe me një armë në tavolinë.
I dyshuari është Luan Gashi, udhëheqës i Sektorit për Çështje Pronësie në Komunën e Pejës.
Arrestimin e zyrtarit e ka konfirmuar Shkodran Nikçi, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Pejës.
“Me autorizimin e prokurorit të shtetit Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit dhe njëkohësisht dhe zyrën e tij të punës me ç’rast është sekuestruar një armë dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës dhe për momentin është duke u intervistuar dhe presim që të vlerësoj nga prokurori i shtetit për hapat e mëtutjeshëm”, ka deklaruar Nikçi.
E në lidhje me rastin është deklaruar për “Indeksonline” avokati i Gashit Besim Ahmetaj. Ahmetaj ka thënë se klienti i tij e ka përfunduar deklaratën dhe se pritet që të lirohet me procedurë të rregullt.
Ahmetaj tha se rasti fillimisht është inicuar për armëmbajtje pa leje dhe më pastaj i janë bërë dhe disa pyetje për lëndë narkotike.
“Është paraqitur në stacion të policisë, e ka përfunduar deklaratën dhe shpresojë që do të lirohet me procedurë të rregullt. Besoj që lirohet sepse ne e kemi kry deklaretën dhe besojë që sonte lirohet. Fillimisht rasti është inicuar për armëbajtje pa leje, iu kanë bërë dhe disa pyetje për lëndët narkotike, por për ato ende nuk dihet. Nuk dihet çfarë është ajo nuk ka lëndë narkotike, ky është marrë në pyetje për armëbajtje pa leje, por pritet që të lirohet me procedurë të rregullt”, tha ai.