Ndahet nga jeta në moshën 88-vjeçare gjyqtari amerikan, u bë i njohur për dhembshurinë në sallën e gjyqit

Gjyqtari i njohur amerikan, Frank Caprio, i njohur për dhembshurinë në sallën e gjyqit është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.
Ai u bë i njohur ndërkombëtarisht për qasjen e ngrohtë dhe njerëzore ndaj drejtësisë.
Lajmi u bë i ditur nga familja e tij përmes rrjeteve sociale, sipas CNN.
Caprio ka shërbyer për katër dekada në Gjykatën e Qarkut në Providence dhe u emërua gjykatës në vitin 1985. Ai fitoi zemrat e publikut përmes serialit televiziv “Caught in Providence”, i cili u nominua për çmimin prestigjioz “Daytime Emmy Award” në vitin 2021. Klipet nga sallat e gjyqit ku ai dëgjonte me kujdes dhe dhembshuri historitë e qytetarëve u bënë virale në rrjetet sociale.
Në janar të vitit 2023, Caprio njoftoi largimin nga detyra, ndërsa në fund të po atij viti u diagnostikua me kancer të pankreasit.
“Gjykatësi Frank Caprio u nda nga jeta në paqe, pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin. Ai ishte i dashur për dhembshurinë, përulësinë dhe besimin e palëkundur në mirësinë e njerëzve. Përmes punës së tij, ai preku jetët e miliona njerëzve dhe la pas një trashëgimi të thellë të mirësisë dhe drejtësisë. Do të kujtohet jo vetëm si një gjykatës i nderuar, por edhe si bashkëshort, baba, gjysh dhe mik i përkushtuar,” thuhet në deklaratën e familjes.
Në nder të tij, familja u bën thirrje të gjithëve që të përhapin më shumë dhembshuri – ashtu siç bënte ai çdo ditë të jetës së tij.