75 Mall Live Search
14:37 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / A

Murati: Buxheti komunal për vitin 2026 arrin në 867.6 milionë euro – Rritje mbi 320 milionë nga fillimi i mandatit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar sot se buxheti komunal për vitin fiskal 2026 do të arrijë shifrën 867.6 milionë euro, duke shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me vitin paraprak dhe një rritje prej mbi 320 milionë euro që nga fillimi i mandatit të Qeverisë Kurti.

Sipas ministrit Murati, ndarja e buxhetit për vitin 2026 është bërë duke u bazuar në të dhënat e regjistrimit të fundit të popullsisë, i cili ka evidentuar rënie të numrit të banorëve në disa komuna. Megjithatë, ai theksoi se asnjë komunë nuk do të përballet me ulje të buxhetit si pasojë e kësaj.

“Jemi siguruar që asnjë komunë të mos e ketë buxhetin më të ulët se në vitin 2025, pavarësisht numrit më të vogël të banorëve që mund të jetë regjistruar”, tha Murati.

Ai shtoi se kjo qasje dëshmon angazhimin e Qeverisë për të mbështetur komunat dhe për të siguruar barazi buxhetore për të gjitha njësitë lokale.

“Qeveria për komunat!” – përfundoi ministri Murati në deklaratën e tij.

Ky buxhet pritet të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e shërbimeve publike, investimet kapitale dhe zhvillimin lokal në të gjitha komunat e Kosovës.