E vrau viktimën për hakmarrje, caktohet seanca fillestare për zyrtarin policor Festim Ramadani

Të hënën (18) gusht, Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, ngriti aktakuzë ndaj zyrtarit policor, Festim Ramadani dhe një personi tjetër për shkak të dyshimit të bazuar të veprës penale “Vrasja e rëndë”, rast ky që ndodhi më 16 gusht 2024, në Ferizaj.
Dosja zbulon se i akuzuari me dashje dhe me qëllim të hakmarrjes lidhur me disa dyshime brenda familjes, e ka qëlluar me breshëri plumbash viktimën, duke e lënë të vdekur në vend.
E për këtë rast tashmë është caktuar seanca fillestare ndaj Ramadanit dhe të dyshuarit tjetër Jeton Misini.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka njoftuar seanca është caktuar për datën 28 gusht 2025, duke filluar nga ora 09:30.
Sipas dosjes së aktakuzës, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Festim Ramadani, më 16 gusht 2024, rreth orës 19:21, në parkingun e restorantit “Fron Palace”, në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt, gjatë një ceremonie martesore, “me dashje dhe paramendim, me qëllim hakmarrjeje për motive të pretenduara familjare të pabazuara dhe të pakonfirmuara juridikisht, në prani të dhjetëra personave, përfshirë të mitur, me armë zyrtare automatike të policisë, me dashje dhe qëllim të privimit nga jeta, me breshëri plumba shtien në drejtim të viktimës S.S., duke e privuar nga jeta”.
Madje, thuhet se si pasojë e të shtënave është rrezikuar seriozisht edhe siguria e personave tjerë të pranishëm në atë moment.
Kështu, Festim Ramadani thuhet se kreu veprën penale të “Vrasjes së rëndë”.
Kurse Jeton Misini akuzohet se me dashje e ka ndihmuar policin në privimin nga jeta të viktimës S.S., ashtu që i pajisur me mjet të forta, ka mbrojtur perimetrin e sulmit dhe ka parandaluar çdo ndërhyrje, në mënyrë që Ramadani të realizonte pa pengesë veprën penale të vrasjes së rëndë.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.