Për gjashtë ditë u pranuan 144,337 aplikime për subvencionim të teksteve shkollore, Nagavci: Procesi po zhvillohet pa pengesa

Brenda gjashtë ditëve të para nga hapja e sistemit për aplikim për subvencionim, përmes platformës e-Kosova, janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime.
Kështu ka bërë të ditur ministrja në detyrë e arsimit Arbërie Nagavci. Nagavci tha se deri më tani janë verifikuar 73,064 aplikime, duke treguar angazhim dhe efikasitet të lartë në menaxhimin e procesit.
“Procesi po zhvillohet pa pengesa, dhe deri tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit, çka dëshmon për funksionalitetin dhe transparencën e sistemit. Ky proces po realizohet me sukses në bashkëpunim me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit (ASHI). Verifikimi i aplikimeve nga koordinatorët e shkollave po zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe të organizuar. Ftoj të gjithë prindërit dhe kujdestarët që nuk kanë aplikuar ende për fëmijët e tyre, të përfitojnë nga kjo mundësi përmes platformës e-Kosova”, ka thënë Nagavci./Inderksonline/