75 Mall Live Search
15:05 / E Enjte, 21 Gusht 2025 / S Z

Jashari për ndalimin e vizitorëve Thaçit: Vazhdimësi e qasjes së padrejtë dhe politike ndaj luftës së UÇK-së

Kryetari i Shoqatës së Familjarëve të Dëshmorëve (SHFD), Xhavit Jashari, reagoi pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për të vendosur kufizime në vizitat ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në konferencë për media, Jashari e quajti këtë vendim vazhdimësi të një qasjeje të padrejtë dhe politike ndaj luftës së UÇK-së. Sipas tij, kjo gjykatë është themeluar mbi shpifjet e raportit të Dick Martyt dhe ka pasur gjithmonë si qëllim goditjen e luftës çlirimtare.

Ai ritheksoi mbështetjen për protestën që do të mbahet më 14 shtator në Hagë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive nga diaspora dhe qytetarët, për të dëshmuar përballë institucioneve ndërkombëtare se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe se padrejtësitë duhet të ndalen.

“Ne si organizatë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në luftën e lavdishme të UÇK-së e kemi ditur që kjo gjykatë, edhe krijimi edhe themelimi i saj, ju kemi drejtuar disa herë edhe Këshillit të Evropës dhe të raportit të Dick Martyt. Me shpifjen e tij është krijuar kjo gjykatë. Kjo është gjykatë politike, e njëanshme dhe nuk merret me drejtësi.

Target dhe sulm ka qenë vetëm lufta çlirimtare e UÇK-së, ani pse institucionet tona kanë dashur t’i japin hapësirë duke menduar se kjo gjykatë do të vlerësojë drejtë, por ka ndodhur e kundërta dhe gjithë këto procese ne i kemi kundërshtuar sepse i kemi paraparë.

Ne do të kërkojmë nga të gjithë që ta mbështesin këtë protestë për të treguar institucioneve ndërkombëtare që lufta jonë ka qenë e drejtë. Edhe kjo protestë do të tregojë edhe Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Evropës që po kërkojmë veprim, sepse në emër të drejtësisë po ndodh padrejtësia”, tha Jashari.