Specialja vazhdon të funksionojë pa i dhënë llogari institucioneve kosovare

Heshtja rreth raportit të Dick Martyt në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, mbi të cilin u krijuan Dhomat e Specializuara të Kosovës, si dhe pranimi i provave nga organet shtetërore serbe, të cilat vetë kanë kryer krime gjatë luftës së fundit, janë ndër shqetësimet kryesore të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së lidhur me këtë gjykim.
Këto shqetësime, Organizata e Veteranëve ka kohë që i adreson përmes takimeve me qarqe diplomatike në Kosovë, përmes letrave drejtuar kongresistëve dhe organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, me kërkesën për mbikëqyrje të punës së Gjykatës Speciale. Shumë përfaqësues diplomatikë në vend, sipas nënkryetarit të kësaj organizate, Gazmend Syla, kanë hapur dyert për t’u njohur nga afër me shqetësimet dhe kërkesat e tyre.
“Raporti i Dick Martyt, se si është votuar gjykata prej nesh. Ne qytetarët, me votën tonë kemi zgjedhur deputetë, dhe ata deputetë kanë pranuar një gjykatë. Qysh liderët tanë jo vetëm që kanë lobuar të ndodhë kjo gjykatë, por edhe për shkak se nuk kemi pasur çfarë të fshehim. Themelimi i saj bazohet në raportin e Dick Martyt për trafikim organesh, kinse në Shtëpinë e Verdhe nga UÇK-ja, një pretendim që nuk ka pasur kurrë bazë. Prandaj, duke qenë aq të pastër, ne e kemi themeluar këtë gjykatë. Prej raportit të Martyt, kjo gjykatë kalon në disa dëshmitarë; ju e dini, kemi dëshmitarë që thonë “ma kanë marrë bagëtinë UÇK-ja”, të tjerë që thonë “më ka bërë sehire UÇK-ja”, e deri te një person që ka qenë në qendrën e paraburgimit dhe më pas është graduar dhe bërë gjyqtar”, tha Syla.
Më tej, Syla shpalosi edhe datën e takimit me eurodeputetë në Strasburg, duke theksuar se këtij devijimi të Speciales do t’i kundërvihen edhe përmes diplomacisë, raporton RTK.
“Kosova ka qenë e gatshme të ballafaqohet me drejtësinë ndërkombëtare, jo vetëm me Gjykatën Speciale, por sa herë që është kërkuar nevoja. Ne kemi dhënë shembull si ushtarë të UÇK-së, që jemi të gatshëm të ballafaqohemi me drejtësinë, cilado qoftë ajo, vendore apo ndërkombëtare. Më datën 10 do të jemi në Strasburg, ku do të takojmë eurodeputetë. Në vazhdën e kësaj kemi organizuar edhe protesta, siç dihet, por ideja jonë është se kjo gjykatë është politike dhe ne duhet t’i kundërvihemi me diplomaci. Sepse efekti i protestës është emocional, është mbështetje, por megjithatë diplomacia e ka rolin e vet në këtë drejtim”, shtoi ai.
Sipas Sylës, shtetet financuese të Gjykatës Speciale, në vendet e tyre, janë duke e mbikëqyrur vazhdimisht punën dhe proceset që po zhvillohen. Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së fundit do të vazhdojë të punojë që padrejtësitë e adresuara të dalin në pah para qarqeve ndërkombëtare.