Negociatat për armëpushim në Gaza mbeten të bllokuara, Netanyahu: Nuk dërgojmë asnjë delegacion në Katar apo Egjipt

Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se nuk ka plane “në këtë fazë” për të dërguar një delegacion në Katar apo Egjipt për negociata armëpushimi dhe për lirimin e pengjeve në Gaza.
Deklarata vjen pak orë pasi Netanyahu njoftoi se kishte “urdhëruar fillimin e negociatave të menjëhershme” për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës, por vetëm sipas kushteve të vendosura nga Izraeli.
Bisedimet për një marrëveshje të re armëpushimi janë zhvilluar për muaj të tërë nën ndërmjetësimin e Egjiptit, Katarit dhe SHBA-së, por kanë ngecur për shkak të kushteve të ashpra të të dyja palëve.
Hamas kërkon ndalim të plotë të ofensivës ushtarake dhe garanci për të ardhmen e Gazës, ndërsa Izraeli këmbëngul për lirimin e të gjithë pengjeve përpara çdo lëshimi tjetër.
Kjo situatë e tensionuar shton edhe më shumë pasigurinë mbi perspektivën e një marrëveshjeje në afat të shkurtër.