Vuçiq flet në telefon me diktatorin Maduro të Venezuelës, e falënderon që s’e njeh Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të enjten e ka zhvilluar një bisedë “të mirë dhe përmbajtësore” përmes telefonit me presidentin e Venezuelës, Nikolas Maduro, lidhur me përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, Vuçiq e quajti Maduron “mik të madh” të Serbisë dhe e falënderoi për qëndrimin e tij karshi Kosovës.
“Serbia e vlerëson shumë mbështetjen parimore dhe të qëndrueshme të Venezuelës sa i përket ruajtjes së integritetit tonë territorial dhe mosnjohjes së shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, theksoi Vuçiq.
Zyrtarët serbë mbajnë lidhje të ngushta me Maduron, të cilin Bashkimi Evropian e sheh si president me mungesë legjitimiteti të një presidenti të zgjedhur në mënyrë demokratike, për shkak të parregullsive zgjedhore.
Në inaugurimin e Madurit për president, në janar, mori pjesë kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, gjë që u pasua me kritika nga Brukseli.
Regjimi venezuelas është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, në të cilin synon të anëtarësohet Serbia, si dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, të cilat u ashpërsuan më 10 janar.
Vuçiq bisedoi me Maduron pasi më herët gjatë ditës, pas takimit me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harçenko, kishte paralajmëruar një takim në nivel të lartë mes udhëheqësve të Serbisë dhe Rusisë, i cili pritet të zhvillohet “në një periudhë shumë të afërt”.
Zyrtarët e Serbisë refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të saj në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve dhe kritikave që vijnë si nga Brukseli, ashtu edhe nga Uashingtoni./REL