75 Mall Live Search
09:19 / E Premte, 22 Gusht 2025 / H F

Refuzohet liria për Erik Menendezin, 36 vjet pas masakrës familjare që tronditi Amerikën! Gjykatësi: S’je gati për shoqërinë

Erik Menendez, njëri nga vëllezërit famëkeq që tronditën SHBA-në me vrasjen brutale të prindërve të tyre në Beverly Hills në vitin 1989, u refuzua për lirim me kusht nga bordi i kalifornian i faljeve – 36 vjet pas krimit makabër.

Pavarësisht se gjykata kishte dhënë më herët një vendim që u jepte mundësinë për lirim me kusht, bordi vendosi pas një seance maratonë prej më shumë se 10-orësh që Erik ende përbën rrezik për shoqërinë. Ai tani mund të kërkojë sërish lirim pas 3 vjetësh.

“Besoj në shpëtim dhe pendesë, por në bazë të standardeve ligjore, ju ende nuk jeni gati për shoqërinë”, tha komisioneri Robert Barton gjatë vendimit, duke përmendur sjelljet e tij problematike në burg dhe të kaluarën kriminale përpara vrasjes.

Në seancë, u theksua se Erik kishte shkelje të shumta gjatë vuajtjes së dënimit, përfshirë përleshje në burg dhe posedim të paligjshëm të sendeve si celular, mjete arti dhe duhan, të cilat i kishte fshehur në një libër fetar.

Gjatë dëshmisë, Erik shpërtheu në lot ndërsa rrëfente momentet kur qëlloi me armë mbi prindërit e tij, Jose dhe Kitty Menendez, ndërsa ata po shikonin televizor në shtëpinë e tyre luksoze në Beverly Hills. Ai dhe vëllai i tij Lyle kanë pohuar për vite me radhë se vepruan në vetëmbrojtje, duke pretenduar se ishin abuzuar seksualisht dhe emocionalisht nga prindërit.

Në një moment prekës, Erik tha:
“Unë dua që familja ime të dijë sa thellësisht më vjen keq për gjithçka që i kam bërë që nga 20 gushti i vitit 1989 deri në këtë ditë”.

Në dëshmi emocionuese, tezja e tij Teresita Menendez, e cila vuan nga kanceri në fazën e katërt, e falënderoi Erikun dhe tha se shpreson të jetojë mjaftueshëm për ta përqafuar sërish.

Lyle Menendez, vëllai i madh, do të përballet me dëgjesën e tij për lirim me kusht një ditë më pas, të premten.

Ndërkohë, guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, po shqyrton një kërkesë për falje nga vëllezërit Menendez, një hap që mund të ketë pasoja politike të ndjeshme, pasi çështja ka ndezur debat të gjerë në publik, veçanërisht pas shfaqjes së serialit të Netflix “Monsters: The Lyle and Erik Menendez Story”.

Historia tronditëse e dy vëllezërve të pasur që qëlluan mbi prindërit e tyre me armë gjahu, për të përfituar trashëgiminë, vijon të ndjekë sistemin amerikan të drejtësisë edhe më shumë se tri dekada më pas.