Certifikimi i Listës Serbe për zgjedhje/ Reagojnë shtetet e QUINT-it dhe BE-ja

Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë reaguar mbi regjistrimin e partive politike, për zgjedhjet lokale.
Përmes një deklarate të përbashkët thuhet se ndjehen të shqetësuar në lidhje lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, shkruan IndeksOnline.
“Çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës” thuhet në deklaratë.
Kjo është deklarata e plotë:
Deklaratë nga QUINT dhe BE-ja mbi regjistrimin e partive për Zgjedhjet Lokale
Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, shprehin shqetësimin e tyre në lidhje me përpjekjet e aktorëve politikë për të kufizuar konkurrencën midis partive politike që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale më 12 tetor. Çdo akt i tillë për të përjashtuar komunitete të caktuara minon parimet demokratike dhe gërryen besimin në institucionet e Kosovës.
Ne presim që qeveria në largim dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të kryhen në përputhje të rreptë me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në të njëjtën kohë, ne i inkurajojmë palët e prekura të shfrytëzojnë plotësisht Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore për të kërkuar dëmshpërblim.