75 Mall Live Search
21:11 / E Premte, 22 Gusht 2025 / F.R

Shqipëria regjistron më pak turistë nga Kosova, rritet interesimi i serbëve

Turizmi në Shqipëri gjatë vitit 2025 po përjeton ndryshime të dukshme, me një ngadalësim të hyrjeve të turistëve nga jashtë, veçanërisht nga Kosova.

Sipas të dhënave të publikuara nga revista “Monitor.al”, për periudhën janar-korrik kanë hyrë në vend 6.58 milionë turistë të huaj, me një rritje të ngadalësuar prej vetëm 3.5%. Një vit më parë, kjo rritje kishte arritur në 23%. Edhe gjatë muajit korrik shifrat mbetën modeste, me një rritje minimale prej 0.4% krahasuar me korrikun e vitit 2024.

Rënia më e madhe shihet tek vizitorët nga Kosova, e cila përbën rreth 35% të totalit të turistëve në 7 muajt e parë të vitit. Hyrjet nga ky vend kanë shënuar një ulje prej 5%, që përkthehet në 121 mijë turistë më pak, ndërsa vetëm në korrik rënia ishte 6%.

Sipas “Monitor.al”, kjo tkurrje e “turizmit patriotik” lidhet me tre arsye kryesore: liberalizimi i vizave për kosovarët për vendet e BE-së që nga janari 2024, rritja e çmimeve në Shqipëri dhe dobësimi i euros ndaj monedhës së përbashkët që përdoret në Kosovë.

Edhe grupi i dytë më i madh i vizitorëve, italianët, ka treguar ngadalësim të dukshëm. Për periudhën janar-korrik ata kanë shënuar një rritje prej vetëm 4.5%, ndërkohë që një vit më parë kjo shifër ishte 47%.

Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut ka ruajtur stabilitetin me rritje prej 11.3%, ndërsa vizitat nga Mali i Zi kanë rënë me 2%.

Në rënie janë edhe hyrjet nga Turqia (-8.3% për 7-mujorin dhe -33% vetëm në korrik), Polonia (-12%) dhe Spanja (-5.3%). Operatorët turistikë e lidhin këtë trend me uljen e numrit të turistëve individualë.

Një zhvillim i veçantë është rikthimi i turistëve serbë, të cilët janë shtuar me 16% gjatë periudhës janar-korrik, ose 77 mijë vizitorë më shumë. Vetëm në korrik, rritja ishte 28%, me preferencë kryesisht për zonën e jugut të Shqipërisë.

Ndërkohë, tregues pozitiv ka pasur nga Franca dhe Gjermania, me rritje përkatësisht prej 47% dhe 27% të numrit të vizitorëve për 7 mujorin e parë të këtij viti.