Eugen Cakolli: LVV bëri hap pozitiv, por partitë e tjera s’po i përmbahen qëndrimeve të veta

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend lidhur me votimin e kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ai e ka cilësuar si hap pozitiv faktin që LVV ndryshoi kandidatin dhe propozoi një emër që nuk ka pasur pozitë ministrore, duke e parë këtë si një afrim drejt zgjidhjes së situatës politike – të paktën në aspektin formal.
Megjithatë, Cakolli thotë se ky veprim nuk përmbush plotësisht aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila kërkon konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare, raporton IndeksOnline.
Në anën tjetër, ai ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe disa deputetë të tjerë, të cilët, sipas tij, nuk iu përmbajtën deklarimeve të tyre publike.
Cakolli ka kujtuar se ata vetë kishin vendosur si kriter mbështetjen vetëm për kandidatë që nuk kanë qenë ministra, por megjithatë sot nuk votuan për një të tillë.
“Mosbesimi dhe loja e nervave po e rëndojnë procesin, por zgjidhja nuk është larg. Ajo varet nga gatishmëria e LVV-së për konsultim real dhe konstruktiv, si dhe nga vullneti i partive tjera për të qëndruar pas premtimeve të tyre”, ka shkruar Cakolli. /IndeksOnline/