75 Mall Live Search
18:40 / E Diele, 24 Gusht 2025 / F.R

Lushaku-Sadriu: VV propozoi personalitete polarizuese, s’ka vullnet për konstituim

Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka folur rreth propozimeve të reja të LVV-së për kryetar Kuvendi.

Në “Info Magazine” të Klan Kosova, Lushaku Sadriu tha se Dimal Basha, Arbërie Nagavci e Hekuran Murati të propozuarit e sotëm për kryekuvendar], janë figura polarizuese.

“Pjesa kryesore e seancës së sotme ishte se Lëvizja Vetëvendosje tentoi të bëj disa propozime të deputetëve, të cilët nga këndvështrimi jonë ishin personalitete polarizuese gjatë viteve të kaluara, dhe mendonim që këto personalitete nuk mund të tërheqin numrin e votave të nevojshme për bërjen e shumicës. Ashtu u dëshmua po ashtu. E pamë që asnjëri nga këta deputetë të propozuar nuk arriti që ta ketë shumicën”.

“Ne si LDK e kemi bërë qëndrimin tonë të njohur, cilido që të jetë deputeti i propozuar nga ana e Vetëvendosjes, nuk do të marrë votat tona, dhe për këtë kemi edhe konsistencë, dhe e ndajmë mendimin me gjithë qytetarët, ashtu siç kemi bërë tash e disa muaj. Këtë e kemi bërë për disa arsye që i kemi bërë të ditura disa herë”, u shpreh deputetja.

E për të dalë nga ky ngërç politik që ka kapluar institucionet e Kosovës, Lushaku-Sadriu thotë se partia e parë në zgjedhje duhet të krijojë një partner politik që të arrijnë zgjidhje.

“këtë Vetëvendosje nuk po e kupton. Po mendon që duke përsëritur mënyrën e votimit, pa marrëveshje politike, arrin të kontrabandojë në mënyrë shumë qesharake ndonjërin prej deputetëve, nuk është qasje serioze. Është për keqardhje që ne varemi nga vullneti i partisë së parë në këtë rast”, u shpreh ajo.

Derisa sa i përket propozimit të emrave të ndryshëm për kryetar të Kuvendit nga ana e LVV-së, Lushaku-Sadriu thotë se subjekti i parë u obligua t’i nënshtrohej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e jo përmes vullnetit të tij.

Ajo shton se VV nuk do që të arrihet funksionalizimi i Kuvendit të Kosovës, duke thënë se më afër shihen zgjedhje të reja, sesa konstituim i këtij institucioni.

“Momentalisht Vetëvendosje nuk po do që ta konstituojë Kuvendin, madje duke i propozuar emrat e tillë polarizues që gjatë qeverisjes së kaluar kanë pasur rol të theksuar për polarizimin e qytetarëve dhe linçim të partive të tjera, ne mendojmë që konstituimi i Kuvendit është shumë larg, dhe jemi më afër zgjedhjeve”, u shpreh deputetja.