75 Mall Live Search
10:31 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Turqi, gjendet pas 19 ditësh trupi i biznesmenit turk të mbytur në detin Marmara

Pas 19 ditësh kërkimesh intensive, autoritetet kompetente turke kanë gjetur në një thellësi prej 68 metrash trupin e biznesmenit Halit Yukay, varka e të cilit ishte gjetur gjysmë e fundosur dhe e dëmtuar pranë brigjeve të Artaki-së, në detin Marmara.

Thrilleri që filloi, më 4 gusht, kur biznesmeni Halit Yukay lundroi i vetëm nga Gialova në Mykonos, me varkën e tij, ”Graywolf “, pati një fund tragjik. Po atë ditë, në orën 15:10, të afërmit e tij njoftuan autoritetet, pasi nuk kishin lajme për të. Më 5 gusht, rreth orës 14:30, një anije tregtare që lundronte pranë Turanköy raportoi se pjesë të varkës ishin gjysmë të fundosura në sipërfaqen e detit.

Që nga ai moment, filloi një operacion në shkallë të gjerë, ku morën pjesë forca nga roja bregdetare e Propontisë Jugore, Drejtoria e përgjithshme e sigurisë bregdetare dhe njësi speciale të policisë detare nga Samsuni, Dardanelet, Izmiri dhe Gjalova. Kërkimet vazhduan pa ndërprerje për më shumë se dy javë.

Më në fund, zhytësit gjetën trupin e biznesmenit të pafat pardje në një thellësi prej 68 metrash në pikën ku ishte gjetur varka e tij. Vendndodhja u përcaktua nëpërmjet një pajisjeje speciale Sonar të rojës bregdetare, ndërsa konfirmimi erdhi nga një robot nënujor (ROV), i cili regjistroi imazhe si të trupit, ashtu edhe të pjesëve të motorit dhe të pllakave të varkës.

Procesi i nxjerrjes së trupit është planifikuar të bëhet duke përdorur një sistem special “ashensori”, në mënyrë që procesi të mund të kryhet në mënyrë të sigurt nga shtrati i detit pa shkaktuar dëme të mëtejshme. Zhytësit ushtarakë do të koordinojnë operacionin, i cili pritet të përfundojë brenda orëve të ardhshme.

Kush ishte biznesmeni turk Halit Yukay?

I lindur në vitin 1982, Halit Yukay ishte pronar i kompanisë “Mazu Yachts”, e cila prodhon jahte luksoze.

Ai e filloi karrierën e tij profesionale si punëtor ndërtimi anijesh dhe kishte një ëndërr për të krijuar kompaninë e tij. Diçka që e arriti në vitin 2011 me “Mazu Yachts” që njihet në Turqi për disenjet dhe teknologjitë që përdor.

Kompania e tij ka ndërtuar disa seri jahtesh vitet e fundit, nga “Mazu 82” 24.9 metra deri te anija e saj kryesore, 132 DS 40.2 metra.