Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it dhe policisë

Prokuroria Speciale, pasi ka vlerësuar se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore, ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30-ditësh ndaj të pandehurit LJ.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale:
– bashkim për veprimtari kundërkushtetuese,
– rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare,
– pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm,
– sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri LJ.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB-ja dhe një fanellë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Speciale, garanton qytetarët e vendit, se mbetet e përkushtuar në hetimin e plotë dhe ndjekjen e të gjithë kryerësve të këtyre veprave penale.