75 Mall Live Search
20:04 / E Hënë, 25 Gusht 2025 / BA

AVONET: Qeveria të i mbaj duart larg nga gazetarët e RTK-së

Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë për ndërhyrjen e Qeverisë në lirinë e medias dhe përjashtimin arbitrar të gazetarëve dhe moderatorëve nga Transmetuesi Publik i Kosovës (RTK). Ky veprim, i kryer në mënyrë të paparalajmëruar, joligjore dhe në mungesë të një Bordi funksional, paraqet cenim të drejtpërdrejtë të pavarësisë editoriale dhe të misionit publik të RTK-së. 

Vendimi për mbylljen e emisioneve dhe përjashtimin e gazetarëve që kanë demonstruar profesionalizëm dhe paanshmëri, tregon qartë tendencën për të heshtur zërin kritik dhe për të ushtruar kontroll politik mbi transmetuesin publik. AVONET vlerëson se ky akt i censurës alarmante nuk është vetëm një çështje e brendshme e RTK-së, por një goditje e rëndë ndaj lirisë së shprehjes, transparencës dhe demokracisë në Kosovë. Sepse RTK nuk është e pushtetit, është e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Si organizatë e shoqërisë civile që monitorojmë respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirinë e medias, ne i bëjmë thirrje institucioneve shtetërore dhe partive politike, me theks të veçantë Lëvizjes Vetëvendosje të ndalojnë çdo ndërhyrje në punën e gazetarëve, të garantojnë funksionimin e pavarur të RTK-së dhe të respektojnë parimet e rendit demokratik. 

Po ashtu, kërkojmë nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, sidomos ata që mbështesin zhvillimin e mediave të lira dhe të pavarura, që të reagojnë ndaj këtij rasti të rëndë të censurës. AVONET qëndron në solidaritet me gazetarët e përjashtuar padrejtësisht dhe i inkurajon ata të vazhdojnë përpjekjet ligjore dhe profesionale për të mbrojtur lirinë e medias, si një nga shtyllat themelore të shoqërisë demokratike!