75 Mall Live Search
08:55 / E Martë, 26 Gusht 2025 / AR

Fëmija viktimë e abuzimit seksual i apelon Muskut t’ia heqë imazhet në rrjete sociale

Një viktimë e abuzimit seksual në fëmijëri ka bërë apel publik ndaj Elon Musk-ut për të ndaluar lidhjet që ofrojnë imazhe të abuzimit të saj në platformën e tij sociale X.

“Ndërsa dëgjoj që abuzimi im – dhe abuzimi i shumë të tjerëve – vazhdon të shpërndahet dhe të komercializohet këtu, është tmerrësisht frustruese,” tha “Zora” që jeton në Shtetet e Bashkuara dhe që është abuzuar për herë të parë më shumë se 20 vjet më parë.

“Çdo herë që dikush shet apo ndan material abuzimi të fëmijëve, ata drejtpërdrejtë mbështesin dhe përkeqësojnë abuzimin e tmerrshëm të origjinës.”

Përmes një hetimi të BBC-së, janë zbuluar imazhe të Zorës ndërsa ishte duke u hetuar tregu global i materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve, i cili është vlerësuar të jetë një treg miliardë dollarësh nga Childlight, Instituti Global për Sigurinë e Fëmijëve.

Këto imazhe bëheshin pjesë e një koleksioni të madh të fotove dhe videove që ofroheshin për t’u shitur në një llogari X. BBC-ja ka kontaktuar tregtarin përmes aplikacionit të mesazheve Telegram dhe kjo i ka çuar ata në një llogari bankare të lidhur me një person në Xhakartë, Indonezi.

Zora, e cila u abuzua për herë të parë nga një anëtar i familjes, tregon se një koleksion i imazheve të abuzimit të saj është bërë i njohur ndër pedofilët që mbledhin dhe tregtojnë përmbajtje të tillë. Po ashtu, shumë viktima të tjera përballen me të njëjtin problem, pasi imazhet e abuzimit vazhdojnë të qarkullojnë edhe sot.

Zora është e zemëruar se ky treg vazhdon të ekzistojë.

“Trupi im nuk është një mall. Nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë,” thotë ajo.

“Ata që shpërndajnë këtë material nuk janë thjesht dëshmitarë pasivë, ata janë bashkëpërgjegjës për abuzimin.”

Pavarësisht deklaratave nga X se platforma ka “politikë zero tolerance për materialet e abuzimit seksual të fëmijëve”, dhe se lufta kundër abuzuesve të fëmijëve mbetet “një prioritet kryesor”, hetimet vazhdojnë të zbulojnë keqtrajtimin e vazhdueshëm dhe shpërndarjen e materialeve të abuzimit të fëmijëve.