75 Mall Live Search
09:44 / E Martë, 26 Gusht 2025 / A

Sillet para gjykatës i dyshuari për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe policisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj LJ.M., i dyshuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 2023.

Tashmë i dyshuari është sjell në ambientet e seancës ku pritet të mbahet seanca për të vendosur lidhur me masën e sigurisë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 25 gusht paraqiti kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30-ditësh ndaj të pandehurit LJ.M.

Sipas PSRK-së, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale: “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese”, “-Rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri LJ.M. dyshohet se më 29.05.2023, para objektit të Komunës së Zveçanit, në bashkëkryerje edhe me të dyshuar të tjerë ka sulmuar me gurë, bombë molotov dhe armë pjesëtarët e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarët që kanë raportuar për ngjarjen”, thuhej në njoftim.

Sipas Prokurorisë, gjatë zhvillimit të hetimeve dhe bastisjes në shtëpinë e të pandehurit, janë siguruar prova materiale si një telefon, uniforma të ndryshme ushtarake, dy USB dhe një bluzë me mbishkrim me motive nacionaliste, me të cilat, konfirmohen veprimet inkriminuese e të pandehurit në ditën kritike.

LJ.M., gjendet në ndalim nga 24 gushti.