75 Mall Live Search
14:56 / E Martë, 26 Gusht 2025 / KV

Policia parandalon kontrabandë me cigare në vlerë rreth 80 mijë euro

Policia e Kosovës, konkretisht njësitet policore të Departamentit të Kufirit, Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë, në vazhdën e aktiviteteve për luftimin e veprimeve të kundërligjshme ndërkufitare, kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra.

Ekipet patrulluese të Njësisë për Ndërhyrje të Shpejtë-Veri, në realizim e sipër të një plani taktik-operativ, bazuar në një informatë të pranuar, me datën 25.08.2025 në fshatin Cerajë-KK Leposaviq, kanë hasur në një automjet të braktisur kombi VW Transporter, ngjyrë e bardhë, me targa RKS, i mbushur me cigare të llojeve të ndryshme, pa banderola, që dyshohet të jenë të kontrabanduara nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.

Vlera e përgjithshme e mallit vlerësohet të jetë në total prej 797 000 copë cigare, me vlerë të përafërt prej 80 mijë (80 000) euro.

Me autorizim të prokurorit të Shtetit, automjeti dhe cigaret e kontrabanduara janë dërguar në terminalin doganor për trajtim të mëtejshëm nga njësitë përkatëse të PK-së dhe nga Dogana e Kosovës.