Trump premton inteligjencë dhe mbrojtje ajrore, për Ukrainën e pasluftës

Shtetet e Bashkuara janë shprehur të gatshme të ofrojnë kapacitete inteligjence dhe mbikëqyrje në fushëbetejë për çdo plan perëndimor të sigurisë në Ukrainën e pasluftës, si dhe të marrin pjesë në një mburojë ajrore të udhëhequr nga Evropa për të mbrojtur vendin nga agresioni rus. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë amerikanë, evropianë dhe ukrainas për Financial Times.
Presidenti Donald Trump u tha javën e kaluar liderëve evropianë se SHBA-të do të përfshihen në koordinimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, një kërkesë kyçe e Kievit për të parandaluar sulme të reja nga Moska pas çdo marrëveshjeje paqeje.
Mësohet se SHBA-të janë gati të kontribuojnë me “mbështetje strategjike” duke përfshirë inteligjencën, vëzhgimin, zbulimin, komandën dhe kontrollin, si dhe kapacitetet e mbrojtjes ajrore, për të mundësuar një dislokim evropian në terren.
“Koalicioni i vullnetarëve”, i udhëhequr nga Britania e Madhe dhe Franca, është zotuar të mbrojë Ukrainën nga agresioni i ardhshëm rus, por zyrtarë evropianë kanë pranuar se kjo është e mundur vetëm me mbështetjen e SHBA-ve.
Washingtoni tashmë i ka dhënë Ukrainës sisteme Patriot, por plani i ri parashikon përfshirjen e avionëve amerikanë, logjistikës dhe radarëve tokësorë për të mbështetur një zonë ndalim-fluturimi dhe një mburojë ajrore evropiane mbi Ukrainë.
Sipas burimeve diplomatike, oferta amerikane mbetet e kushtëzuar: SHBA-të kërkojnë që vendet evropiane të angazhohen për të dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, pas muajve presion nga Washingtoni.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se SHBA-të nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë, por si mbështetje ndaj Europës. Edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka shfaqur rezerva duke paralajmëruar se përfshirja e madhe mund të tërheqë SHBA-të në konflikte të ardhshme.
Trump tha të hënën, 25 gusht, se ende nuk janë diskutuar specifikat e garancive të sigurisë, por u shpreh se “do të jemi të përfshirë nga aspekti i mbështetjes”. Në një intervistë për Fox News, ai theksoi se “SHBA-të janë të gatshme të ndihmojnë”, veçanërisht me mbështetje ajrore.
Megjithatë, Kremlini ka refuzuar një propozim të Trump për një takim mes Putinit dhe Zelenskyt, duke insistuar në kërkesa territoriale që janë të papranueshme për Kievin.
Çfarë parashikon plani i sigurisë?
Plani i diskutuar nga europianët përfshin:
-një zonë të demilitarizuar të patrulluar nga paqeruajtës neutralë
-një vijë të fortë mbrojtjeje të mbajtur nga trupat ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO
-një forcë të tretë parandaluese evropiane të vendosur më në brendësi të Ukrainës, e mbështetur nga SHBA-të me inteligjencë, radarë dhe mbrojtje ajrore.