75 Mall Live Search
11:23 / E Mërkurë, 27 Gusht 2025 / A

“Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve”, alarmon deputeti Gashi!

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi ka deklaruar se kuvendi duhet të zhbllokohet, institucionet duhet të themelohen sa më shpejt.

Sipas tij, që Vetëvendosje ka plan për bllokimin e institucioneve – nuk ka më asnjë dyshim.

“Këtë e pamë qartë edhe dje: sapo u zgjodh kryetari i kuvendit, VV nisi obstruksionet duke kërkuar shkelje kushtetuese dhe duke tentuar një bllokadë të re për muajt e ardhshëm.

Me vetëdije, kërkuan nga partitë politike të shkelin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që qartë thotë se duhet të zbatohet rendi i ditës i përcaktuar për seancën konstituive. Pasi nuk patën sukses në tërësi, vendosën të përqendrohen te nënkryetari serb – duke shfrytëzuar ndjeshmërinë dhe duke llogaritur se reagimi i partive tjera do të ishte më i zbehtë.

Rezultati? Vendi mbetet pa institucione. Prishtina e Gjilani pa buxhet. Shumë shpejt, nëse nuk ka reagim me lidership të qartë politik – e gjithë Kosova rrezikon kolaps institucional.

Politika ka rënë në pikën më të ulët, ku shihet vetëm përfitimi momental, jo siguria dhe interesi i shtetit e i shqiptarëve të Kosovës.

LDK-ja ka qenë dhe do të mbetet forca vizionare, përgjegjëse dhe zgjidhëse e situatave”. /Indeksonline/