Memli Krasniqi takon emisarin francez, e njofton për situatën politike në vend

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është takuar me emisarin francez për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.
Në takim, Krasniqi e ka njoftuar emisarin për situatën politike në vend dhe marrjen e përgjegjësisë nga PDK-ja për zhbllokimin e situatës në kuvend.
“Sot, pata kënaqësinë të prisja në një takim emisarin francez për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz.
E falënderova për vëmendjen që Franca i kushton Kosovës dhe rajonit tonë, sidomos në këto kohë sfidash globale. E ritheksova se rruga më e drejtë dhe më e shpejtë për të mbyllur kapitullin e Ballkanit Perëndimor është integrimi sa më i shpejtë i vendeve tona në Bashkimin Evropian.
Biseduam për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe për nevojën që vendi ynë të ecë përpara, me institucione funksionale dhe me dialog konstruktiv. Në këtë drejtim, e njoftova emisarin Troccaz që si PDK, ne kemi dhënë kontributin tonë, si përgjegjësi politike, por edhe si vetëdije institucionale, duke votuar kryetarin e kuvendit në funksion të zhbllokimit të situatës.
E falënderova edhe ambasadorin Guerot dhe të gjithë zyrtarët francezë në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shtetit tonë. PDK-ja mbetet e përkushtuar për stabilitet, përgjegjësi institucionale dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, shkruan Krasniqi në takim./Indeksonline/